Ish-Presidenti Ilir Meta qëndroi dy orë paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme ku u pyet si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes për dosjen “CEZ-DIA”. E ndërsa kur u fut e cilësoi telenovelë, në momentin që doli, Ilir Meta tha se pas kësaj qëndron Edi Rama për të larguar vëmendjen nga skandalet. Por garantoi se nuk ka firmosur kurrë një shkresë në dëm të interesave të shtetit.
“Nuk ekziston asnjë akt, asnjë shkresë, asnjë dokument, asnjë urdhër, asnjë iniciativë për ligje apo akte nënligjore dhe gjithçka tjetër nga Ilir Meta nga posti i zv/ kryeministrit apo ministrit të Ekonomisë në interes të askujt, përfshirë DIA-n dhe CEZ-in.
Ministria e Ekonomisë e ka denoncuar vendimin e ERE-s që favorizonte CEZ-in për blerjen e çmimit të energjisë në dëm të KESH-it. Unë isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta detaje të ndryshme, që nuk kanë asnjë rëndësi dhe asnjë.
Kjo është gjykuar dy herë, edhe në arbitrazh edhe brenda vendit. Kjo diktohet politikisht nga Rama për të shmangur vëmendjen nga skandalet në thashetheme që kanë të bëjnë 14-15 vite më parë” tha ai.
Ilir Meta shkon në SPAK: Më thirrën për telenovelën “CEZ-DIA”
I pyetur nëse i trembet një mase sigurie për këtë dosje, Meta tha se “nuk më habit asnjë keqpërdorim i drejtësisë, por nuk më shqetëson fare, unë jam këtu për të gjitha aktet e mia dhe absolutisht askush nuk duhet të ketë iluzionin që në këtë mënyrë do të arrijë të shfokusojnë jo vetëm Metën, apo Partinë e Lirisë”. Në fund kërkoi që fokusi të jetë tek dosja e inceneratorëve, që sipas tij drejtësia nuk po bën drejtësi.
“E rihapi një mashtrues”! Çfarë është dosja “CEZ-DIA” dhe ku futet Meta?