Komisioni Evropian ka publikuar progres-raportin për Shqipërinë për vitin 2023 me fokus kryesor zgjedhjet lokale, por edhe drejtësinë e re. Raporti thotë se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të qetë, por problemet që liston “copy paste” nga OSBE, janë të shumta duke u kërkuar partive që të ulen për reformën zgjedhore.
“Ka shqetësime për keqpërdorimin e burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë vendor, pretendime për presion mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik dhe pretendime për blerje votash. Të gjitha këto duhet të hetohen siç duhet.
Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët” thuhet në dokument.
Korrupsioni është i përhapur. “Korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz, është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat për parandalimin e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”. Kërkohet më shumë punë nga drejtësia e re.
Në raport evidentohet edhe ngërçi brenda PD-së që i ka çuar debatet edhe në parlament. “Aktiviteti parlamentar vazhdoi të ndikohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” thuhet në tej.