Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale lidhur me krizën e emigrimit të shqiptarëve.
Ajo theksoi se largimi masiv i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, është pasojë e një sistemi ekonomik dhe institucional që nuk shpërblen meritën dhe konkurrencën.
Tabaku nënvizoi se Shqipëria po përballet me një udhëkryq ekonomik, ku të rinjtë detyrohen të largohen për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
“Janë të rinjtë që përballen me koston në rritje të jetesës, me çmime që rriten çdo ditë dhe me të ardhura gjithnjë e më të ulëta. Janë të rinjtë mbi të cilët bien taksat më të larta dhe që përballen me mungesë mundësish ekonomike”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me tregues ekonomikë, por me mënyrën se si funksionon sistemi në vend. Tabaku argumentoi se Shqipëria ka sot një sistem që nuk vlerëson meritokracinë dhe garën e ndershme, ndërsa ekonomia është përqendruar në pak duar, duke kufizuar mundësitë për bizneset dhe investimet.
“Ka një ekonomi të kapur në pak duar dhe një mungesë gare që reflektohet në çdo sferë, nga ekonomia te administrata publike. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë largohen dhe pse bizneset mbyllen”, theksoi ajo.
Tabaku shtoi se rënia e investimeve dhe ftohja e ekonomisë nuk janë zhvillime të papritura, por rezultat i një ndryshimi strukturor që ka ndodhur ndër vite në modelin ekonomik të vendit.
Në fund të reagimit të saj, deputetja e PD theksoi se zgjidhja kërkon një ndryshim të thellë të sistemit ekonomik dhe të mënyrës së funksionimit të shtetit.
“Këtë duhet të ndryshojmë: një sistem ekonomik që sot është peng i pak duarve dhe që po i detyron shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen nga vendi”, u shpreh Tabaku.









