Garda e Republikës ka bërë një hap pas lidhur me incidentin me gazetarët ditën e sotme në hyrje të parlamentit ku nuk i lejoi mediat që të intervistonin deputetët. Garda thotë se u ka tërhequr vëmendjen oficerëve pranë parlamentit që herë tjetër të mos ndodhin incidente të tilla.
“Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.
Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.
Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare” mbyllet reagimi.