Dy granatahedhës të llojit M93, që u konfiskuan pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, janë pjesë e arkivit të prodhimit të fabrikës së armëve Zastava në Kragujevc.
Kështu thuhet në përgjigjen dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë nga ky prodhues i armëve në Serbi, pas kërkesës për qasje në informacion me rëndësi publike.
Kjo është hera e parë që fabrika më e madhe serbe e armëve konfirmon informacionet e publikuara më herët nga autoritetet në Kosovë, se grupi i personave të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës kishin armë të prodhuara në Serbi.
Mirëpo, ajo që mbetet e panjohur edhe pas përgjigjes së dërguar nga Zastava, është se kur janë prodhuar dy granatahedhësit e përmendur, kujt i janë shitur dhe si kanë përfunduar në duart e sulmuesve të maskuar që u përleshën me Policinë e Kosovës, ku gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serb.
Për këtë sulm janë duke u zhvilluar hetime të ndara në Kosovë dhe Serbi. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Në ditët pas sulmit, autoritetet në Kosovë shfaqën armët e konfiskuara. Sipas armëve që u ekspozuan, REL-i identifikoi numrat serikë të granatahedhësve dhe më pas më 2 nëntor iu drejtua Zastavës për informacione shtesë, përkatësisht nëse këto armë ishin prodhuar në fabrikën e kësaj kompanie dhe nëse po, kujt i ishin shitur.
Pasi kompania nuk u përgjigj në pyetje, REL më 20 tetor dërgoi kërkesë në Zastava për qasje në informacione me rëndësi publike dhe Zastava ktheu përgjigje pas dy javës./REL
Artikulli i plotë këtu.