Kompanitë serbe janë duke eksportuar mallra të dypërdorshme në Rusi, të cilat janë cak i sanksioneve të Perëndimit për shkak se përdoren në armatimin rus në Ukrainë –përkundër zotimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se vendi i tij nuk do të shërbejë si përçues i anashkalimit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE).
Mallrat e dypërdorshme mund të përdoren si për qëllime ushtarake, ashtu edhe për qëllime civile. Në mesin e atyre që kanë pranuar mallra të tilla nga Serbia në Rusi është edhe furnizuesi i Teknologjisë Informative i cili u godit nga sanksionet amerikane në shtator.
Kjo u shpjegua nga Uashingtoni si një përpjekje për ta privuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nga “pajisjet, teknologjia dhe shërbimet për të cilat ai ka nevojë për ta kryer luftën e tij barbare në Ukrainë”, ka gjetur një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).
Të dhënat doganore nga baza e të dhënave e tregtisë ndërkombëtare, të analizuara nga REL-i, tregojnë se kompanitë serbe kanë dërguar mallra të sanksionuara të dypërdorshme në Rusi në vlerë prej 71.1 dollarësh prej se Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Dërgesat e analizuara nga reporterët përfshijnë llojet e elektronikëve dhe pajisjeve të tjera të kategorizuara si të “prioritetit të lartë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të përdorimit të tyre në armatimin rus që është gjetur në fushëbetejat ukrainase (Lexo ketu shkrimin e plote).