Në Tiranë Gjykata Kushtetuese mbylli sot hetimin gjyqësor për çështjen e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe shtyu vendimmarrjen deri më 30 nëntor.
Gjykata bëri të ditur se, deri në atë datë palët e interesuara mund të paraqesin një material të pritshëm me vlerësimet nga UNESCO për këtë çështje.
Një grup prej 36 deputetësh i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e atij Parku Kombëtar, bazuar në një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.
Gjykata Kushtetuese vazhdoi sot shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh opozitarë për ta shfuqizuar si antikushtetues ligjin për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Gjykata mori sot 3 kërkesa; për shtesë e saktësim të objektit në gjykim, shtyrje të vendimit dhe për largim nga trupa gjyqësore të tre prej gjyqtarëve.
Këtë kërkesë të fundit gjykata e rrëzoi, ndërsa mbylli hetimin gjyqësor dhe e shtyu vendimmarrjen deri më 30 nëntor.
Avokati Agron Alibali, përfaqësues i grupit të deputetëve kërkues opozitarë, thotë për Zërin e Amerikës që shteti shqiptar ka dëshmuar qartë se zotëron aftësi dhe kapacitete të plota për ta menaxhuar vet Butrintin.
“Ky model kontrolli, menaxhimi dhe posedimi nga një fondacion privat i Parkut Kombëtar të Butrintit është i pashembullt në botë dhe vjen në kundërshtim me Konventën e UNESCO-s në Paris, e cila është ratifikuar nga 195 vende anëtare të OKB-së,” thotë zoti Alibali.
Ai theksoi se krahas shkeljeve kushtetuese, vlerësimi i UNESCO-s për çështjen e Parkut të Butrintit është me rëndësi thelbësore, dhe pikërisht këto ditë është duke zhvilluar një nga forumet e veta./VOA
Artikulli i plotë këtu.