“Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”. Mbrëmjen e sotme fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” promovoi librin e diplomatit Shaban Murati. Ky është libri i parë dhe i vetëm nga një autor në Shqipëri për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtme të Kroacisë në Ballkan nga pavarësia e saj deri më sot.
Diplomati Murati tha se libri është një mesazh për politikën shqiptare që të vlerësojë orientimin drejt interesave të kombit. “Kjo ngjarje për mua është shumë e veçantë. Mesazhi i librit është që Shqipëria duhet të bëjë një vlerësim të orientimit gjeopolitik që të përputhet me interesat e kombit shqiptar. Duhet bërë sa më parë” tha ai.
Nuk kishte si të mungonte në këtë promovim Stjepan Mesić, personifikimi më i mirë i kësaj aleance mes dy vendeve, të cilit kreu i fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu i akordoi medaljen “mik i madh i shqiptarëve”.
Ish-Presidenti i Republikës së Kroacisë për 10 vite u shpreh se “libri po del në momentin e duhur dhe tregon marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve”.
Ai kërkoi që Europa të bashkohet. Theksoi se për momentin Europës i mungon një lider që të marrë vendime të mëdha për bashkimin e kontinentit të vjetër.
“Në historinë tonë nuk kemi pasur asnjë të keqe mes vete, por mundemi edhe më mirë që të jemi. Unë gjithmonë në politikën time kam luftuar që t’i përkrah shqiptarët” tha ai.
Më tej, Mesić tregoi një episod me Millosheviçin. “Ai më tha, ti nuk i njeh shqiptarët. Ata marrin vesh vetëm me grusht në hundë”, por tha ai më tej, “koha tregoi se i ranë atij hundët”.
“Tani ka ardhur një kohë e re. E shihni vetë se çfarë po bëhet në Ukrainë dhe Palestinë. Këto nuk janë të mira, por Europa duhet të bashkohet sa më shpjet. Tani Europa nuk ka lider, as Amerika. Derisa nuk ka lider të mirë, as vendimet nuk janë të mira.
Një pjesë e Europës është e lodhur, pjesa tjetër po presin. Europa duhet të jetë e bashkuar. Pse duhet të presë Shqipëria dhe të tjerët me u bashkuar?
Nuk e kuptoj pse Rumania dhe Bullgaria janë futur në BE, çfarë demokracie më të madhe kanë se Shqipëria?! Një Europë e bashkuar do të thotë se nuk do të ekzistojë një luftë këtu në mes të Europës” tha ai.
I pranishëm ishte edhe ish-Presidenti Bamir Topi, që e cilësoi ambasadorin Murati një studiues ekselent. “Aleanca organike mes Shqipërisë dhe Kroacisë erdhi me Mesiç dhe bashkë kemi pasur rrugëtimin për në NATO.
Mesiç është nga ata personalitete që kanë qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të shqiptarëve”. Të pranishëm në promovimin e librit ishin edhe shumë personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova.