Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kërkon nga Ministria e Financave e Malit të Zi që ta ndalojë ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të ish-ndërmarrjes shoqërore “PIK Kosova-Eksport – Industria e Mishit”, nga Fushë Kosova, iu konfirmua Radios Evropa e Lirë. Pronat e saj ndodhen në Podgoricë, Tivar dhe Budvë.
Duke qenë se kjo agjenci, në përputhje me ligjin, menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, ajo pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.
Sipas saj, pas vitit 1999, këto prona janë përvetësuar ilegalisht nga kompania “Klanica” në Kralevë, e cila më pas i ka shitur.
Ajo kërkoi dy herë nga Administrata për Pronë Shtetërore dhe Kadastër e Malit të Zi që ta zhvlerësojë kontratën për shitjen e tyre, të cilën “Klanica” e ka lidhur në Serbi.
Pasi Administrata refuzoi, rasti përfundoi në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, e cila është eprore e Administratës.
“Kemi paraqitur ankesë te një autoritet tjetër kompetent, Ministria e Financave, kundër vendimit të Drejtorisë së Kadastrës së Podgoricës, të datës 24 janar 2023, lidhur me ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të PIK Kosovës në Mal të Zi,” thanë për REL-in nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Administrata për Pronë Shtetërore dhe Kadastër e Malit të Zi, e udhëhequr nga Koço Gjurishiq, përkundër disa premtimeve me shkrim gjatë dy javëve të komunikimit me REL-in, nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit./REL
Artikulli i plotë këtu.