Në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Europian i tha Zërit të Amerikës se Komisioni Europian ka lënë në pritje, fillimin e zbatimit të Programit IPARD III në mbështetje të bujqësisë shqiptare.
Vendimi pason ndërprerjen në muajin korrik të rimbursimeve në kuadër të IPARD II, pas hetimeve të ndërmarra mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e këtij programi.
Raporti i hartuar nga zyra europiane kundër mashtrimit, OLAF, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare, prej të cilave, Komisioni thotë se pret që ato ta marrin shumë seriozisht këtë çështje
Kur në korrik të këtij viti Komisioni Europian njoftoi ndërprerjen përkohësisht të rimbursimeve ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II, Ministria e Bujqësisë e trajtoi rastin si një çështje të karakterit administrativ.
Ndonëse Brukseli e bënte të qartë se masa ishte marrë pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e këtij programi, nga autoritet gjithshka u paraqit si “procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”.
Këtë qasje mbajti në parlament dhe ministrja e Bujqësisë në atë kohë, Frida Krifca, ish drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) e cila administron fondet e e programit europian. Pas më pak se dy muajsh, zonja Krifca u la jashtë kabinetit qeveritar
Hetimi nga OLAF-i ka përfunduar, dhe Komisioni Europian ia ka paraqitur atë autoriteteve shqiptare të cilat kanë të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese./VOA
Artikulli i plotë këtu.