Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloj pasditen e sotme një bashkëbisedim me qytetarët e Lushnjës, në kuadër të turit “Opozita në Aksion”.
Berisha u shpreh se zgjedhje të lira me kryeministrin Edi Rama nuk mund të ketë dhe akuzoi kryeministrin se mori 710 mijë vota me forcën e shtetit.
Nga ana tjetër ai shtoi gjithashtu se Rama i hoqi vulën opozitës dhe liroi nga burgu vrasës serial që u sollën si xhelatë të votës. Berisha shprehet se zgjedhjet e ardhshme ai do shpërndajë zarfe me 150 mijë lekë brenda dhe do lirojë nga burgu 2 herë më shumë vrasës.
“Unë duhet të flas haptas me ju. Duke u përpjekur të bëjmë gjithçka me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Qarkullojnë mendimet se ky nuk i vjedh por i fiton zgjedhjet. Ky mori 710 mijë vota duke përdorur forcën e shtetit.
Duke përdorur 630 mijë zarfa. Duke transferuar 1 milionë e 300 mijë zgjedhës. Duke i hequr emrin opozitës. Duke hequr vulën. Duke lejuar vrasësit serial nga burgu, si xhelatë të votës së shqiptarëve. Ai i grabit zgjedhjet. Zgjedhjet i fituan ata që me gjithë këtë terror arrijnë të votohen nga 600 mijë shqiptarë. A do ta pranojmë këtë situatë?! Në 2025 nuk do shpërndajë zarf me 50 mijë lek, do shpërndaj 150 mijë lek. Lekët tuaja. Nëse e lejojmë, në 2025 nuk do ndryshoj qendrat e votimit për 1 milionë shqiptarë, por për 1 milionë e gjysëm. Do lirojë 2 herë më shumë vrasës nga burgjet.”, tha Berisha.