Thriller në Itali. Trupi i një vajze të re u gjet mëngjesin e sotëm nga zjarrfikësit në zonën Barcis, në provincën e Pordenones, gjatë kërkimeve për Giulia Cecchettin.
Ndërkohë vijon identifikimi për të konstatuar nëse trupi është realisht i të resë që u zhduk një javë më parë së bashku me ish të dashurin e saj Filippo Turetta. Mediat italiane e bëjnë të sigurt nisur nga veshja e vajzës ditën e zhdukjes, por edhe elementë të tjerë.
Trupi i pajetë u gjet, sipas informacioneve fillestare, në një gropë të vendosur midis zonës së liqenit Barcis dhe Piancavallo. Ndërkohë, është konfirmuar kalimi i Fiat Punto-s së Filippo Turetta-s në Austri. Makina u regjistrua nga sistemi i targave në Lienz të mërkurën e kaluar.
Këto janë orë gjithnjë e më shqetësuese për familjen e Giulia-s dhe Filippo-s, kur tashmë kemi arritur në ditën e shtatë të kërkimeve për dy ish-të dashurit e zhdukur që nga e shtuna e kaluar.
Që prej ditës së djeshme Filippo Turetta është nën hetim nga Prokuroria e Venecias. Pozicionin e djalit e komplikon një video në të cilën ai shihet duke sulmuar Giulia Cecchettin me duar mbrëmjen e së shtunës së kaluar.