Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri deklaroi se nga janari kanë dhënë dorëheqje 86 pjesëtarë të policisë. Ai tha se që nga formimi i këtij institucioni deri në fund të viti 2022 mbi 2.200 zyrtarë e lanë këtë institucion.
Sipas tij, numri i madh i largimeve ka ardhur si pasojë e kushteve jo të mira, e pagave jo të dinjitetshme. Madje tha se edhe pas pensionimit ata nuk kanë trajtimin e duhur, duke u paguar vetëm 100 euro.
“Dorëheqjet në Policinë e Kosovës kanë ndodhur edhe më herët, që nga formimi i Policisë Kosovës e deri më 31 dhjetor 2022 kemi pasur mbi 2 mijë e 200 dorëheqje, të evidentuara që i bëjnë gati 100 për çdo vit. Mirëpo, periudha të ndryshme këto kanë qenë në ndonjë vite më shumë apo në ndonjë vit më pak.
Vetëm për këtë vit, nga janari deri më tani kemi 86 dorëheqje, dhe shumica e këtyre dorëheqjeve janë për shkak të kushteve dhe të mirëqenës, dhe të një page jo të dinjitetshme, apo jo të mjaftueshme për të siguruar ekzistencën për një familje. S’ka sigurim shëndetësor e jetësor, s’ka ligje të pensionimit, sepse zyrtarët policorë kur e përfundojnë karrierën pas moshës 56-vjeçare janë më 100 euro pension” tha Zeqiri.