Shtatë orë betejë në gjykatën e Apelit mes dy avokatëve të Sali Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi dhe Jamarbër Malltezit nga njëra anë dhe dy prokurorëve të dosjes, Enkeleida Millonai dhe Arben Kraja në krahun tjetër. Në dalje nga seanca, Genc Gjokutaj tha se vendimi për dosjen “Partizani” është shtyrë për nesër në orën 11:00.
“Ne kemi që nga ora 9 dhe kemi paraqitur të gjitha argumentet që jo vetëm masat e sigurimit nuk qëndrojnë dhe çështja është një farsë juridike. Kemi shpjeguar të gjitha pretendimet tona dhe shkeljet që janë bërë.
Edhe Jamarbër Malltezi ishte dhe shpjegoi për më shumë se një orë çështjen e trajtimit të pronës. Gjykata ishte në pamundësi për të dhënë vendimin dhe seanca u shty për nesër në orën 11 për shpalljen e vendimit” tha avokati.
I pyetur se përse nuk ishte Sali Berisha sot në SPAK, Gjokutaj tha se “nuk e di. Berisha nuk paraqitet karshi një vendimi anti-Kushtetues” tha ai. Nesër në orën 11:00 gjyqtarja Iliriana Olldashi do të japë vendimin për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, pasi biznesmeni Fatmir Bektashi nuk e ka ankimuar masën detyrim paraqitje.