Sonte në 20:45 Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit përballë Ishujve Faroe. Kuqezinjtë janë kualifikuar, por u duhet të paktën një pikë për të ruajtur vendin e parë në grup. Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur festën para, gjatë dhe pas ndeshjes që do të vazhdojë deri pas mesnate.
Për këtë festë, FSHF ka bërë të ditur axhendën për të informuar më saktë tifozët që do të jetë të pranishëm në stadium.
Në orën 17:45, do të nisë hyrja e tifozëve në “Air Albania”. Më pas, pak minuta në fillimin e sfidës, në 20:37, do të shfaqet flamuri i madh kuqezi në tribunën lindore dhe koreografia mbresëlënëse në të gjithë stadiumin.
Gjatë pushimit ndërmjet pjesëve, në 21:30, do të futet në fushë asambli i këngëve dhe valleve popullore. Në përfundimin e ndeshjes, në orën 22:40, do të ketë një festë me fishekzjarrë. 10 minuta më pas, në orën 22:50, do të prezantohet një klip për rrugëtimin e kombëtares shqiptare drejt Euro 2024.
Në orën 23:00, do të këndojë këngëtarja e famshme Juliana Pasha. Në orën 23:20, kombëtarja shqiptare do të futet në fushë për t’u përshëndetur me tifozët dhe në orën 00:00, do të ketë përsëri fishekzjarrë.