Sapo kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi zyrtarisht seancën plenare në orën 10:00, deputetët e opozitës bënë grumbull karriget te foltorja dhe sërish kanë ndezur tymuese, këtë herë në ngjyra të ndryshme.
Nikolla përjashtoi nga seanca deputetin e PD-së Flamur Noka, pasi ky ishte ky i fundit që hodhi tymuesen në sallën e Kuvendit. Shumica votoi buxhetin me shpejtësi dhe e mbylli seancën. Sali Berisha e cilësoi një tjetër fitore të opozitës.
“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të parlamentit. Ju e patë vetë se si banorët e fermës së Edi Ramës, lexo Xhorxh Oruellit, kaluan brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit.
E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë.
Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr.
E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.
Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre.
I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve. Beteja pa kthim e opozitës vazhdon” tha Berisha.









