Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, foli të martën e sotme për pengjet e mbajtura nga luftëtarët e Hamasit, duke theksuar se po bëhet përparim në lirimin e tyre.
“Po bëjmë progres. Nuk mendoj se ia vlen të thuhet shumë, as tani, por shpresoj se së shpejti do të ketë lajme të mira” tha ai.
Sipas asaj që është raportuar, qeveria izraelite do të mblidhet sonte në orën 20:00 për të miratuar projekt-marrëveshjen për lirimin e pengjeve.
Negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve “janë në prag të përfundimit” , sipas një zyrtari me njohuri mbi zhvillimet e ndërmjetësuara nga Katari. “Jemi në fazën përfundimtare, po i afrohemi shpalljes së armëpushimit”, shtoi ai.
Megjithatë, ai nxitoi të sqarojë se detajet e publikuara deri më tani nuk pasqyrojnë saktë marrëveshjet individuale të arritura mes palëve.
Sipas tij, Katari pritet të publikojë skicën e marrëveshjes së afërt gjatë ditës së sotme. Në të njëjtën kohë, burime nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik kanë konfirmuar se të dy organizatat kanë rënë dakord me kushtet që janë propozuar.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Joe Biden tha mbrëmë se shpreson që palët ta përfundojnë marrëveshjen së shpejti.
Herët në mëngjes, kreu i zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, deklaroi se “ne po i afrohemi gjithnjë e më shumë një marrëveshjeje armëpushimi”.
Fakti që Benjamin Netanyahu u takua mbrëmë për herë të parë pas javësh me një grup të madh përfaqësuesish të familjeve të të rrëmbyerve duket se ka luajtur një rol në përshpejtimin e negociatave.