Pak ditë pas vendimit të Strasburgut për 21 Janarin, konkretisht rastin e Aleks Nikës, qeveria është vendosur në lëvizje. Ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi sot se i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku që të nxjerrë përgjegjësitë e policisë së shtetit në 21 Janar të vitit 2011, se çfarë ka bërë gabim. Dosja, tha Balla ndodhet në drejtorinë e policisë Tiranë që është vendosur në lëvizje.
“Vendimi i Strasburgut është tepër i rëndësishëm që nxjerr në pah dështimet e drejtësisë shqiptare. Lidhet me zinxhirin komandues, të urdhrave që çuan në vrasjen e personave të pafajshëm. Dua të ndaj me ju, lajmin se ministria e Brendshme, e ka marrë vendimin dhe natyrshëm ia ka deleguar drejtorit të policisë së shtetit, i cili për shkak të pozicionit që mban dhe përgjegjësive që ka duhet të nxjerrë përgjegjësitë e policisë se çfarë ka bërë policia e shtetit. Dosja ndodhet në drejtorinë vendore të policisë Tiranë.
Në momentin që flasim ka veprime hetimore që lidhen me ato elementë që disponohen në dosje dhe natyrshëm në cilësinë e ministrit të Brendshëm dua të garantoj publikun që çuarja përpara e hetimit të plotë të zinxhirit komandues është një nga detyrat që policia duhet të bëjë në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës, që disponon dosjen. Të gjitha institucionet, përfshirë prokurorinë duhet ta lexojnë me vëmendje vendimin e Strasburgut. Kam besim se pas këtij vendimi kësaj çështje do i shkohet deri në fund” tha Balla.