Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dënuar sulmet ndaj dy gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka dhe Iliriana Olldashi. E para, Irena Gjoka arrestoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe vendosi dy masa sigurie për ish-kryeministrin.
Ajo akuzohet nga Sali Berisha se ka konflikt interesi pasi në 1996 e ishte shkarkuar me firmën e tij. Ndërsa për Iliriana Olldashin janë publikuar disa shkrime se është në konflikt interesi për shkak se ka blerë një apartament në kompleksin “Partizani” të ndërtuar nga Jamarbër Malltezi, të cilin e liroi nga qelia duke e dërguar në arrest shtëpie.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave nga persona publik dhe disa shkrimeve të publikuara në media, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Këshilli vëren me keqardhje se këto publikime reflektojnë vetëm disa shembuj të sulmeve mediatike, të pajustifikuara ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar intimidimin, kërcënimin dhe ndikimin e paligjshëm të tyre nëpërmjet përndjekjes mediatike.
Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private” mbyllet deklarata.