“Përplasja shqetësuese midis Kosovës dhe Serbisë i detyrohet pjesërisht Perëndimit që ka pasur fokusin në moslejimin e acarimit të Beogradit në vazhdën e pushtimit rus në Ukrainë“, u shpreh deputetja britanike, Alicia Kearns. Sipas saj, gabimin që Perëndimi e bëri me Rusinë, po e përsërit edhe me Serbinë.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për punë të jashtme e Britanisë së Madhe deklaroi se Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia duhet t’i heqin masat ndaj Kosovës dhe të largohen nga qasja që Beogradi të jetë në qendër.
“Perëndimi po tregon në Ballkan dështimin e të pasurit një shtyllë, dhe ne po tregojmë po ashtu që nuk kemi marrë mësimet nga përpjekjet për frenimin e Rusisë. Kemi pasur prioritetin e plotë se si të mos e shqetësonim apo acaronim Rusinë, në dëm të atyre që e rrethojnë. Pikërisht e njëjta gjë po ndodh këtu”, ka thënë ajo në një intervistë për “Financial Times” të mërkurën.