14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Rrëfime të Hamamit

Kryesoret

Dy rusë shikojnë akullin dhe flasin për Kosovën, Prometheu bëhet me brekë, një shtet i vogël shikon si të bëhet më i vogël dhe një filozof suedez që pret të flasë vitin e ardhshëm.

1.

Përpara janë deti i ngrirë dhe akulli dhe prapa janë toka e ngrirë dhe akulli. Dy burra në moshë rrinë dhe shikojnë përpara, kah deti i ngrirë dhe akulli, duke ia kthyer shpinën akullit tjetër, atij mbi tokën e ngrirë. Të dy të moshuarit janë në veriun e skajshëm të Rusisë, aq të skajshëm sa mund të quhet fundi i botës. Janë duke i ngrohur trupin dhe shpirtin me një gotë vodke dhe duke qenë në fundin e botës bisedojnë për atë pjesë prapa tyre, për botën. Njëri rrëfen për vështrimin e tij rreth problemeve globale, rolin e Amerikës, krizën ekonomike, luftërat në Lindjen e Mesme, ngritjen e Kinës. Tjetri flet për Kosovën.

Kosova është temë që arrin në fundin e botës. Kështu disi tingëllon rrëfimi i Sergei Lebedev, shkrimtar rus që jeton prej kohësh në Potsdam të Gjermanisë.

Jemi bashkë në një panel konference në Çifte Hamam të Shkupit për të analizuar kohën në të cilën po jetojmë, të kohës së shembjes së rendit botëror dhe mosngritjes (ende) të rendit të ri.

Rrëfimi për dy të moshuarit nuk është nga ndonjë roman i Lebedevit, është rirrëfim i rrëfimit të tij, apo rirrëfim të asaj që mendoj se kam dëgjuar nga rrëfimi i tij. Në Hamam kishte jehonë, siç edhe duhet për një banjë publike dhe fjalët e shkrimtarit rus përplaseshin rreth mureve të Hamamit për t’u kthyer te veshët e të gjithë neve, te dikush njëra me një tingëllim e tjetra me tingëllim tjetër, dhe kështu çdonjëri prej nesh krijuam një rirrëfim tonin për dy të moshuarit përballë detit të ngrirë dhe akullit përtej tij. Dhe e rikrijuam, natyrisht, faktin që njëri prej dy të moshuarve duhej medoemos të fliste për Kosovën, atje në fund të botës.

Atje, në veri të Rusisë flitet për Kosovën, sepse për këtë ka folur prijësi, V. Putin. E në Rusi kur flet prijësi, këtu e njëqind vjet, fjalët mbërrijnë deri te dy të moshuarit e Arktikut. Dikur, në kohë carësh fjalët mbërrinin me kuaj e qerre dhe saja që bartnin punëtorë e edhe më shpesh të dënuar për vjedhje apo për sharje të pushtetit. Tash të burgosurit arrijnë me tren e lajmet për rëndësinë e Kosovës me internet.

Sepse, siç di akulli prapa shpinës dhe ai përtej detit të ngrirë, bota nuk ka fund. E as fillim.

2.

Kryeministri vlerësoi se ndoshta në fillim të botës duhej të ketë qenë Prometheu.

Prometheu, siç dihet, ishte maqedonas.

Ai, siç dihet po ashtu, vodhi zjarrin prej zotave të Olimpit, që do të duhej të ishin maqedonas (por për këtë ende nuk ka i ka rënë kujt në mend) dhe ia solli njerëzimit. Në fillim dukej zjarr, por pastaj njerëzimi e kuptoi si dije, shkencë, teknologji.

Kryeministri i maqedonasve porositi që krahas Aleksandrit të Madh, Filipit, luanëve, kariatideve, Olimpias dhe çdo gjëje që qe maqedonase në fillim të botës, në Shkup të bëhet monumenti i Prometheut, atij që ndriçoi mendjen e botës së errët me zjarrin e vjedhur prej zotave, që do të duhej të ishin maqedonas, ngase ishin aty, në fillim të botës.

Prometheu u bë, siç u ka hije atij dhe traditës së skulpturës klasike, muskulor, proporcional, me trup në lëvizje e me flakadan në dorë. U vendos në park, diku afër Kuvendit. Kryeministri mund ta shihte rrugës për në Kuvend, aty ku duhej të kalonte ritualin e mërzitshëm të të dëgjuarit të mendimeve. Mund ta shihnin edhe të tjerët. Ndër të tjerët, mund ta shihnin edhe të tjerat. Ndër të tjerat ishin anëtaret e Partisë së kryeministrit, të cilat u alarmuan kur panë organet gjenitale të Prometheut, jo pse Prometheu nuk i kishte pasur në fillim të botës, por sepse ishin të ekspozuara ashtu siç duhej t’i kishte pasur në fillim të botës.

Monumenti i Prometheut, me urdhër të kryeministrit u largua prej vendit ku kishte qenë dhe u kthye pas disa ditësh. Prometheu tash kishte brekë.

Sepse, siç dihet, brekët kanë ekzistuar që në fillim të botës.

Sepse, siç dihet, çdo gjë që ka qenë në fillim të botës ka qenë rrëfim.

(Një mik imi, gazetar i njohur maqedonas, kundërshtoi projektin e kryeministrit për monumentet e rrëfimeve të reja e të vjetra. Kryeministri fillimisht i ofroi para, me gjenerozitetin që miku im vetë të caktojë numrin e zerove në çekun bankar. Kur miku im refuzoi ofertën iu vendos një bombë nën makinë. Qe përkujtim i kryeministrit se rrëfimet nuk kanë të ndalur. Pas disa vjetësh kryeministri shkoi në ekzil. Rrëfimet e tij mbetën ende).

3.

Kërkohej një datë kur të 27 ministrat e BE-së të niseshin në mëngjes për në Podgoricë, të kalonin në mënyrë spektakolare nga qyteti, të bëheshin të dukshëm në ceremonialin e tyre dhe të bënin me dije gjerë e gjatë se po e ftonin Malin e Zi që të aderonte në Bashkimin Evropian. Prej Malit të Zi kërkohej të kalonte nja dy gjëra jo shumë relevante në Parlament dhe të zgjidhte gjykatësit e munguar të Gjykatës Kushtetuese.

Gjërat që i kërkoheshin këtij shteti ishin aq të vogla, sa është edhe shteti i vogël. E prej BE-së u zgjodh ky shtet i vogël, sepse të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ishin më të mëdha, më të ndërlikuara në problemet e veta dhe ishin më të papërgatitura për të qenë në BE. Logjika ishte se një shtet i vogël, edhe po të ketë ndonjë gjë mangët, e korrigjon në të hyrë në BE; një shtetit të madh i nevojitet më shumë kohë.

Dhe BE-ja ishte në kërkim të një shteti në Ballkanin Perëndimor, cilido të jetë, që të dëshmojë se forca e saj magnetike mund të shndërrojë shtetet e popujt të zënë në rrëfimet e veta të vjetra – të të kërkuarit të thellë të së kaluarës, diku aty te fillimi i botës – në shtete që vizatojnë hapësirën e përbashkët evropiane të së ardhmes.

Ligjet nuk kaluan, ministrat nuk erdhën, rrëfimtarët e së kaluarës u shtuan. Mali i Zi është tani i zënë në garën për të gjetur se a ishin në fillim të botës banorët e saj serbë apo malazezë? Dhe nëse po, pse?

Dhe, nëse përgjigjja nuk jepet me po, pse po kërkohet përgjigje tjetër?

4.

Diku vitin e ardhshëm në Hamam do të flasë Martin Hägglund, filozof dhe shkrimtar suedez, autor i “Kjo jetë: besimi sekular dhe liria shpirtërore”.

Ai do të shpjegojë se nuk ekziston përjetësia, as e akujve që nuk shkrihen, as e botës që nuk dihet se kur fillon a mbaron.

Po të ekzistonte përjetësia, do të shpjegojë ai, jeta jonë nuk do të kishte kuptim, sepse ne i japim jetës kuptim vetëm duke ditur se ekziston një kufizim në aftësinë tonë për të jetuar. Andaj kornizojmë veprimet tona -mësimin, studimin, dashurinë, punën, krijimtarinë, projektimin e ardhmërisë. Kornizojmë rrëfimet. Apo rrëfimet bëhen kornizë./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit