Deputetja demokrate, Ina Zhupa doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar një projektligj të mazhorancës socialiste, që i hap rrugën ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Zhupa tha se Rama do i mbushë këto zona me ‘investime strategjike’.
Deklarata e plotë e Zhupës
Ky synim t’i hapet rrugë investimeve brenda zonave të mbrojtura, ka nisur me dy VKM të janarit 2022, ku qeveria hoqi mijëra hektarë nga zonat e mbrojtura, duke i reduktuar ato me 20% të sipërfaqes që kishin. Tashmë kjo çështje është në gjykatë, teksa organizatat e ndryshme kanë argumentuar se ‘vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro’. Por qeveria nuk ndalet as të pres vendimin e gjykatës, por vazhdon me plane shkatërrimtare.
Ky ndryshim ligjor nuk është gjë tjetër veçse garantimi i mbrojtjes ligjore për ndërtimet e paligjshme që janë bërë deri tani në sytë e qeverisë në zonat e mbrojtura, siç është i denoncuar nga Fiks Fare ky solli pamje të 36 ndërtimeve pa leje të bëra në zonën e mbrojtur të Liqenit të Shkodrës. Sipërfaqja e dëmtuar është me mijëra metra katror.
Ky projektligj është hapi i fundit që zona si Syri i Kaltër të përdoren për tubacione ujore për vendet fqinje, që zona si Vjosa-Narta të legjitimohen për ndërtime dhe infrastrukturë, që zonat si Butrinti, Velipoja dhe Shkodra të mbushen me resorte me emrin ‘investime strategjike’. Ky është përfundimisht shkatërrimi i këtyre zonave.