Një automjet tip “Passat” çau pikën kufitare të Kapshticës në Devoll dhe kaloi poshtë hundës së policisë duke kaluar në Greqi. E gjithë trajektorja e lëvizjes së makinës së ngarkuar me 26 kg drogë, është filmuar nga kamerat e sigurisë së pikës kufitare Kapshticë.
Gazetari Elton Qyno ka publikuar pamjet e kamerave që kanë filmuar dhe lëvizjet e dyshimta të Stiljan Pashos, kryekomisarit të kufirit në Korçë, i cili shfaqet duke zbritur pikërisht në makinën ku ndodhej droga dhe mandej kryen veprime konkrete për sjelljen e lehtësirave të kalimit pa pengesa dhe mes policëve të automjetit tip “Passat” që shihet në pamjet filmike.
Në këto pamje filmike tregohet qartë se kryekomisari i kufirit Stiljan Pasho, ka udhëtuar nga Korça në Kapshticë në këtë makinë, duke qëndruar në vendin e parë. Në këtë moment Pasho zbret nga makina dhe drejtohet tek grupi i policëve të kontrollit.
Ndërsa në këtë moment nga dera e pasme e “Passatit” del një person me bluzë të verdhë duke hyrë sërisht në makinë, pikërisht në vendin e parë ku qëndronte shefi i kufirit, Stiljan Pasho.
Pasho drejtohet tek pika e kontrollit dhe urdhëron policët që të kontrollojnë një makinë tip “Benz-Mercedez”, pasi kishte informacion se në mjet mund të kishte sende të paligjshme. Por policët grekë kontrolluan “Passatin” dhe gjetën drogën.