Kampionati italian i futbollit nuk ndalon së dhuruari supersfida, dhe ndeshja hapëse e javës së 15-të do të jetë ajo midis Juventusit dhe Napolit e cila do të luhet mbrëmjen e sotme në 20:45.
Një përballje padyshim e rëndësishme jo vetëm nga rivaliteti historik i dy klubeve si dhe “urrejtja” ndaj njëri-tjetrit, por dhe sepse kjo sfidë në vitet e fundit shpesh herë është treguar vendimtare për fatin e kampionatit.
Deri më tani Juventus është i vetmi ekip në Itali që ka mundur të mbajë ritmin e Interit, bardhezinjtë ndjekin me vetëm dy pikë më pakë në renditje, dhe një fitore do i vendoste ata në krye të klasifikimit duke rritur dhe më shumë presionin mbi skuadrën e Inzaghit, e cila do të pres Udinezen në shtëpi të shtunën mbrëma.
Napoli paraqitet si skuadra kampione në fuqi, por ky start sezoni nuk tregon të njëjtën skuadër e cila sezonin e kaluar luajti futbollin më të bukur në Europë.
Shumë ulje ngritje nga të kaltrit dhe mbi të gjitha tashmë ndodhen 11 pikë larg kreut, një tjetër disfatë do shuante ëndrrat për garën titull dhe do i vendoste në dyshim zonën Champions.
Megjithatë trajneri Mazzarri ende beson tek të tije dhe kthesa e madhe mund të vijë pikërisht mbrëmjen e sotme në Torino.
Për Zonjën e Vjetër është momenti për të thyer edhe një tabu, duke qenë se nuk kanë fituar asnjë nga 4 ndeshjet e fundit me Napolin, duke humbur 3 prej tyre, përfshirë edhe një 5-1 të rëndë sezonin e kaluar.
Juventus Stadium konsiderohet si një “fortesë” për bardhezinjtë, e megjithatë jo për Napolin, të cilët kanë humbur vetëm 1 nga 7 përballjet e fundit në kampionat.