Detaje të reja janë zbardhur nga afera me inceneratorët e Tiranës dhe mësohet se të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i Klodian Zotos kanë nxjerrë lidhjet me zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit.
Emailet kanë konfirmuar se pas kompanisë që fitoi konçensionin fshihej Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri i cili ka bërë sugjerime për rritjen e kostove.
“Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako me ka sugjeruar që të isha këshilltar i jashtëm i ministrit, por duke qenë se nuk do paguhesha nga Ministria, ai më tha që për të marr pagën, do më punësonte tek shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Servises” Sh.p.k. ku dhe jam punësuar nga 2014 deri në 2021. Deri në 2017 unë nuk kam pasur kontratë. Kontratën e kam lidhur pasi përfundoi procedura e dhënies së inceneratorit”.
Teksa SPAK avancoi me hetimet, përfaqësuesit ligjor të kompanisë që po kryente punimet për inceneratorin e Tiranës, Integrated Energy Bv SPV, i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë dhe kërkojnë lirimin nga sekuestro. Të hënën në orën 10:30, Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën për masën e sigurisë për 15 të hetuarit, disa prej të cilëve më herët kanë mohuar akuzat.