Në Komisionin e Jashtëm për marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Italisë ka folur dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai gjatë fjalës së tij prezantoi se çfarë parashikon protokolli i nënshkruar nga dy shtetet.
Gjithashtu ai shtoi se kjo marrëveshje bazohet dhe në traktatin e miqësisë e firmosur mes dy vendeve në Romë 28 vite më parë, duke theksuar dhe faktin se të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga pala italiane.
“Ky protokoll mes Shqipërisë dhe Italisë për forcimin e bashkëpunimit të emigracionit bazohet në traktatin e miqësisë mes dy vendeve tona i nënshkruar në Romë 28 vite më parë.
Vjen në një moment të rëndësishëm jo vetëm sa i përket konsolidimit të marrëdhënieve, por është edhe shprehje e solidaritetit që Shqipëria i jep Italisë në kuadër të sfidave që Italia ka me emigrantet.
Pala shqiptare ruan të drejtën të mos ta ripërtërijë protokollin në fund të këtij afati 5-vjecar si dhe të zgjidhë duke rimarrë në posedim këto sipërfaqe.
Shumë e rëndësishme të nënvizohet fakti se të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij protokolli i takojnë palës italiane që i takon të paguajë çdo kosto tjetër që mund ti vijë Shqipërisë, këtu i referohem kostove nga proceset gjyqësore, pra shpenzimet i takojnë palës italiane.
Në rast të ndonjë rreziku hipotetik social që ka të bëjë me qëndrimin në territorin shqiptar të këtyre emigrantëve të huaj sqarojmë se pala italiane ka detyrimin për ti akomoduar vetëm brenda strukturave dhe të kujdeset që të mbetën brenda këtyre strukturave”, tha ndër të tjera ministri.