Projektligji i ri i propozuar nga Kryeministri britanik Rishi Sunak, që synon të dërgojë në Ruandë emigrantët që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme në Britani, do të votohet gjatë një seance me debate të shumta në parlament të martën.
Një muaj pasi Gjykata e Lartë britanike e shpalli të paligjshme këtë politikë, zoti Sunak shpreson se projektligji i ri do të përmbushë zotimin e tij për të frenuar prurjet e njerëzve që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla.
Në vazhdim disa detaje të mëtejshme rreth planit të propozuar dhe çështjes së emigracionit:
PËRSE ËSHTË EMIGRACIONI NJË ÇËSHTJE KAQ E RËNDËSISHME PËR BRITANINË?
Rimarrja nën kontroll e kufijve të vendit dhe frenimi i lëvizjes së lirë të njerëzve ishte një faktor kryesor që solli referendumin në vitin 2016 për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Sipas kompanisë së anketimeve YouGov, emigracioni radhitet aktualisht si çështja e dytë më e rëndësishme në Britani, pas ekonomisë.
Qeveri të njëpasnjëshme konservatore patën premtuar të ulnin nivelin e emigracionit në më pak se 100 mijë në vit, por nuk e përmendën më këtë zotim në vitin 2019.
Në vitin 2022 u arrit një rekord i ri prej 745 mijë personash, pjesërisht për shkak të të ardhurve nga Ukraina dhe Hong Kongu.
Në përgjigje, qeveria e zotit Sunak paraqiti javën e kaluar një seri masash që do ta ulnin këtë shifër me 300 mijë persona më pak.
Ndërkohë në vitin 2022 u arrit edhe një rekord prej 45,775 personash që mbërritën pa lejen e autoriteteve me varka të vogla në brigjet jugore të Anglisë. Deri më tani për vitin 2023, kanë mbërritur pothuajse 29 mijë më shumë./VOA
Artikulli i plotë këtu.