Kohët e fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrit të vrasjeve, një fenomen ky që është bërë alarmant për shoqërinë. Nga fillimi i këtij viti, Kosova është tronditur me dhjetëra vrasje, ku rasti i fundit është i Liridona Ademaj-Murseli, e cila u vra më 29 nëntor në periferi të Prishtinës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Telegrafin se për periudhën janar-tetor të këtij viti kanë ndodhur 26 vrasje.
Krahasuar me numrin e vrasjeve që kanë ndodhur brenda vitit të kaluar, shihet se në 10 muajt e këtij viti ka pasur rritje të numrit të vrasjeve.
Gjatë vitit 2022 sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, janë shënuar gjithsejtë 21 vrasje.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 kanë ndodhur shtatë raste “vrasje e rëndë” (vrasje brenda familjes). Në këto shtatë raste janë evidentuar 8 viktima (një rast me dy viktima), 4 meshkuj dhe 4 femra.
Kurse, gjatë periudhës janar-tetor 2023 Policia ka bërë të ditur se kanë ndodhur 4 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar 5 viktima (një rast me dy viktima), 2 meshkuj dhe 3 femra.
Vrasjet që tronditën opinionin këtë vit
Mbrëmjen e 29 nëntorit, Kosova është tronditur nga vrasja e Liridona Ademaj-Museli. Ajo u vra në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e kishte raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave, dorasin Granit Plava dhe Naim Murseli bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar është edhe Kushtrim Kokallaj, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës./Telegrafi
Artikulli i plotë këtu.