Qendra paraqiti sot në një konferencë ndërkombëtare rezultatet e para të një studimi sipas të cilit, mbi 50 për qind e mjekëve më të rinj dhe më të kualifikuar dëshirojnë të largohen nga Shqipëria.
Autorët e studimit, pohuan për Zërin e Amerikës se arsyet e këtij emigrimi nuk kanë të bëjnë vetëm me pagat, por edhe me kushtet e punës si dhe me nivelin e jetesës së mjekëve.
Në konferencën ndërkombëtare “Emigrimi i punonjësve të shëndetësisë nga Ballkani Perëndimor dhe Europa Lindore e Qendrore,” u theksua se gjithë gadishulli dhe kontinenti në tërësi janë përfshirë nga lëvizjet e mjekëve drejt vendeve ku garantohen standarte më të larta jetese, si Gjermania, Britania dhe Zvicra.
Studimi për Shqipërinë, bazuar në anketimin e mbi 500 mjekëve në gjithë vendin, në zonat qytetare dhe fshatare, në spitale dhe qendra shëndetësore publike dhe private të gjithë niveleve dhe territoreve, zbuloi se migrimi potencial i mjekëve shqiptarë është i lartë, rreth 38.5 për qind.
Bashkautori i studimit, dr. Ilir Gëdeshi, thotë për Zërin e Amerikës se tek mjekët e rinj dëshira për emigrim është edhe më e lartë.
“Për grupmoshën e mjekëve dhe punonjësve të mjekësisë 24-40 vjeç kjo shkon deri në 52 për qind. Dëshirojnë të largohen nga Shqipëria mjekët e rinj, mjekët, që kanë kryer një specializim, ose studime jashtë vendit, mjekët që punojnë në spitalet private, me synim Gjermaninë dhe vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore,” thotë zoti Gëdeshi.
Shkaqet nxitëse për këto dëshira emigrimi janë ato kërkesat ekonomike, standartet e jetës dhe kushtet e punës, por nuk është vetëm paga që i shtyn ata drejt një vendi tjetër, thotë për Zërin e Amerikës bashkautori tjetër i studimit, Russell King, nga Qendra për Kërkime mbi Migrimin e Universitetit të Sussex-it./VOA
Artikulli i plotë këtu.