Këshilli i Mandateve vendosi sot “pro” kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kërkesa e SPAK u aprovua me 5 votat “pro” të mazhorancës të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike. Anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo tha te emisioni “5Pyetjet nga Babaramo” se selia e blu e priste këtë.
“Vendimi ishte i paraparë, i parashikuar. Vendimi ishte politik për të mbërritur deri në këtë pikë. Edi Rama e do patjetër Berishën të izoluar politikisht nën petkun e një SPAK-u, që operon me standard të dyfishtë apo të trefishtë. Asnjë nuk ka çudit. Është e gjitha brenda asaj që presim. Por nuk ka ndonjë problem të madh për PD-në” tha ai.
Për juristin Franci Nuri, procesi doli nga “shinat” që në fillim. “Duhet të ishte marrë autorizimi i Kuvendit dhe më pas ato masa të merreshin ligjërisht prandaj procesi ka dalë nga shinat. SPAK kërkon një masë më të fortë se deputetët nuk paskan zbatuar vendimet anti-kushtetuese” tha ai.