Policia e Shkodrës ka njoftuar se ka identifikuar autorin e plagosjes së 40-vjeçarit Aleksandër Curri. Policia është vënë në kërkim të Dedë Bicit, i cili dyshohet se e ka qëlluar për shkak të një borxhi që i kishte i plagosuri. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm. Katër herë e qëlloi me armë dhe u largua me biçikletë.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për plagosjen e shtetasit Aleksandër Curri 40 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, informojmë se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit Dedë Bici 59 vjeç, banues në Lezhë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi Dedë Bici e ka plagosur shtetasin Aleksandër Curri për shkak të një borxhi që i kishte ky i fundit. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dedë Bici” njofton policia.