Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi të mërkurën se ruajtja e një ambienti të sigurtë në Kosovë është “kyç për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.”
Në një urim të fundvitit ushtarëve të aleancës, Sekretari Stoltenberg tha se “bota në të cilën jetojmë është më e rrezikshme” dhe se për t’iu përgjigjur kësaj situate NATO-ja kanë ndërmarrë hapa që të përforcojë parandalimin dhe mbrojtjen e vendeve anëtare të saj duke rritur buxhetin e mbrojtjes dhe duke vënë një numër të shtuar të forcave të armatosura në gjendje gatishmërie.
“Një luftë e vërtetë po ndodh në Evropë. Një luftë e re në Lindje të Mesme, tensione në Ballkanin Perëndimor. Terrorizmi brutal po vazhdon dhe ndryshimet klimatike po nxisin konflikte,” deklaroi zoti Stoltenberg.
Duke folur për vizitat e tij në vende të ndryshme të Evropës, Sekretari Stoltenberg iu referua edhe asaj në Kosovë, ku takoi ushtarët e forcës paqeruajtëse të KFOR-it.
“Muajin e kaluar vizitova trupat e KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës. Ndihma (e tyre) për ruajtjen e një ambienti të sigurtë për të gjithë në Kosovë është kyç për stabilitetin e rajonit të gjerë të Ballkanit Perëndimor,” tha ai.
Zoti Stoltenberg deklaroi se pa ushtarët e NATO-s “nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri.”/VOA