Ish-zv/ drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Lefter Maliqi gjatë një interviste për “5Pyetjet.al” analizoi vrasjen brenda burgut të Peqinit dhe sistemin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Ai tha se ky është krim i organizuar nga lart poshtë dhe mund të jenë të inkriminuar një ose dy punonjës, por jo i gjithë zinxhiri dhe drejtori që kishte vetëm dy ditë që kishte marrë detyrën.
“Ky është krimi më i rëndë shtetëror i mirë organizuar me pagesë. Po flas jo vetëm si ish-zv/ drejtori i burgjeve, por edhe drejtues policie. Dua të them që sistemi monitorohet jo vetëm nga kamerat, por edhe administrata dhe brenda janë bashkëpunëtorët. Është për t’u habitur, doli një gjysmë ore para se të ndodhte vrasja.
Kjo është shkak- pasojë. Doli dhe tha se Mjacaj do të futet në sistemin “41-Bis”. Kjo është një shkelje e rëndë, sepse u bë publike pa u kryer. Nëse ka pasur informacione se do të kryente akte, brenda pak kohe, duhet të merrej vendimi, firmosej nga drejtori dhe çohet menjëherë për firmë tek drejtori dhe gjatë kësaj kohe masat janë marrë. Në sistemin e burgjeve ka cdo dy ditë kontroll nga DAP-i” tha ai.
Por si e kthyen të dënuarit burgun në hotel? “Kur kam qenë unë, drejtor ka qenë Arben Çuko dhe atëherë ish-ushtarakët u vendosën drejtues. Edhe Çipa që erdhi më pas kështu e vijoi. Por kur erdhi Agim Ismaili që është hequr gjithnjë nga detyra për paaftësi. Unë e kam akuzuar këtë drejtor për degradimin e sistemit të burgjeve, prandaj erdhi kjo.
Nga 24 ushtarakë që ishin në sistem, ky drejtor liroi 22 dhe vendosi militantë politikë. Kanë degraduar edhe burgje të tjerë. Sistemi i burgjeve është minierë ari. Cdo ditë qarkullon leku i pistë. Tendera çdo ditë pa fund. Miq që futen për të transferuar të burgosur, miq për ushqime dhe emërime. Apo lejet e të burgosurve. Sistemi i burgjeve është për të vendosur duart në kokë. Leku aty ndodhet. Aty janë tërë bosët” tha ai.