Nën akuzën për vjedhje makinash ka rënë në pranga 42-vjeçari Mirdash Osmani banues në Gjoricë, Dibër, ndërsa është vënë në hetim edhe djali i tij 17-vjeç, i dyshuar i implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet rezulton se 42-vjeçari, më datë 15.12.2023, ka vjedhur një automjet tip “Golf”, në rrugën “Mikel Maruli”. Gjatë kontrollit në servisin e tij në Gjoricë, policia i gjeti makinën e vjedhur.
Gjithashtu ai po hetohet dhe për vjedhjen e një automjeti në rrugën “Ndre Mjeda” më datë 07.04.2023.
Mësohet se Mirdash Osamani përdorte një teknikë të veçantë për të vjedhur automjetet, kryesisht në Tiranë, të cilat më pas i shiste me pjesë në Gjoricë.
Fillimisht makinat i merrte me qira dhe kopjonte çelësin e tyre, por i kthente te pronarët në kohë. Vjedhjen e makinës, së cilës më herët i bënte kopje të çelësit, ai e bënte 6 muaj apo 1 vit më vonë, njëlloj siç bëri edhe në rastin e fundit.
Siç shihet edhe në pamjet e kamerave të sigurisë, Osmani hap makinën me lehtësi dhe më pas largohet.
Ai rezulton të ketë vjedhur rreth një vit më parë në Kamëz, por edhe në territor të Komisariatit nr. 4. Burime pranë policisë bëjnë me dije se njihet si person tejet problematik dhe ka dyshime të jetë i përfshirë me disa eksponentë të grupeve kriminale që kryesisht bazën e kanë rreth e qark zonës ku banon.