Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Nevzat Lutfiu u shpreh se opozita ka intensifikuar qëndresën kundër pushtetit të Vuçiçit në Beograd dhe kjo mund të çojë në përsëritje të zgjedhjeve në kryeqytet apo bashki të tjera.
Ai tha te emisioni “5Pyetjet nga Babaramo” se edhe faktori ndërkombëtar ka paraqitur vërejtje për zgjedhjet, por Vuçiç ka akuzuar se perëndimi qëndron pas protestave.
“Duket se do të kemi situatë të ngjashme edhe rezistencë edhe më të fortë në ditët në vijim kundër Vuçiç. Disa nga eksponentët e opozitës janë futur në grevë urie. Edhe forma të tilla të paraqitjes së protestës do të vijnë dhe të rritën nga opozita serbe që është e vendosur që të mos e njohë rezultatin, sidomos në Beograd.
Do të kemi situata ku edhe mund të përsëriten zgjedhjet në disa bashki ose në kryeqytet. Edhe faktori ndërkombëtar ka paraqitur vërejtjet. Unë nuk shoh diçka pozitive në cdo gjë që po ndodh në Serbi për shqiptarët.
Ekziston një mbështetje për opozitën në Serbi dhe Vuçiç ka deklaruar se protestat po i bëjnë disa fuqi perëndimore kundër tij. Por kjo nuk është e vërtetë. Opozita duket se qaset prapë më perëndimore, por në thelb ekziston dyshimi i madh” tha ai.
Shqiptarët arritën që të marrin vetëm një mandat në parlamentin serb. Deputet do të vazhdojë që të jetë Shaip Kamberi.
“Lugina e Preshevës ka potencial për të dërguar tre ose më shumë deputetë, por shqiptarët nuk arritën që të garonin në një listë, por dolëm me dy lista. Frika ishte e madhe që të mos merrnim as edhe një deputet, por në fund do ta kemi një zë në parlamentin e Serbisë” tha Nevzat Lutfiu.