Vendimin për njohjen e targave nga ana e Serbisë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është më shumë se politik. Në mbledhjen e qeverisë, kreu i qeverisë, tha se e gjitha është një manovër e radhës e shtetit serb, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd. Sipas tij, e gjitha vjen për shkak të kritikave që kanë pasur ndërkombëtarët për zgjedhjet në Serbi.
“Ndonëse i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar mes dy shteteve, dua të theksoj se ky vendim po vjen pas një moszbatimi për më shumë se 10-vjeçar të marrëveshjeve paraprake, përdorimi dyvjeçar të çështjes së targave nga ana e Serbisë për të cenuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë dhe tash së fundi, si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje.
Pra, targat në Kosovë, në shtator të vitit 2021 përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG-29, të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për 3 javë rresht në dhjetor të vitit të kaluar.
Kurse, në dhjetor sivjet, po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi demokratik mbi Serbinë, për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Brnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator… Është një manovër e radhës e shtetit serb, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd” tha Kurti.