Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit janë nderuar sot mësuesit e vitit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në përgatitjen e brezave të rinj.
Duke vlerësuar punën e çdo mësuesi, Ministrja Ogerta Manastirliu, bëri me dije nisjen e një programi të ri trajnimi për mësuesit me qëllim rritjen e tyre profesionale.
“Një nga masat që do të ndërmarrim është Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, ku do ta fillojmë trajnimet për praktikat efektive të mësimdhënies në fushat e matematikës, gjuhës dhe shkencave dhe 4 mijë mësues që menjëherë në fazën e parë të këtij programi, do të jenë përfitues, për të përmirësuar aftësitë e tyre pedagogjike në funksion të rritjes së nivelit të kompetencave të nxënësve,” tha Manastirliu.
Në këtë ceremoni janë vlerësuar me çmime 10 mësues dhe dy ekipe nga shkollat e mesme dhe 9-vjeçare në të gjithë vendin:
Tre çmimet për “Mësuesi i vitit 2023” ju dha mësueseve: Adela Puca nga shkolla 9-vjeçare, “Demir Gashi”, Peshkopi, mësuese Oderina Ndreu nga gjimnazi “Asim Zeneli”, Gjirokastër dhe mësues Ramazan Zaimi nga shkolla e Vidhanit në Gramsh.
Çmimi “Mësues Promotor i Talenteve 2023” ju dha mësueses Alketa Nikolla nga shkolla e mesme artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës.
Çmimi “Mësuesi Special 2023” ju dha mësuese Nertila Hoxha nga shkolla 9-vjeçare “Liri Kazazi” në Lushnjë, etj.