Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Belerit nëpërmjet avokatëve të tij për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Irena Gjoka dhe Erion Çela, me pretendimin se ata janë treguar të njëanshëm ndaj tij.
Në seancën e ditës së sotme u paraqitën 5 dëshmitarë mes tyre dhe një gazetar lokal i cili intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Ramës.
Si dëshmitarë u morën banorët e Himarës të cilët dëshmuan në lidhje me miqësinë që kishin me Belerin. Duke thënë se disa e takonin për shkak të fushatës elektorale e disa si bashkëqytetar të Himarës.
Avokatët paraqitën kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thirren dhe kancelari i gjykatës së Vlorës dhe ai i prokororisë së të njëjtit qytet. Trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë. Vetë Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë ku parashtroi disa pretendime.
“Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat. Këto informacione janë të nevojshme një mbrojtje normale. Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti të falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë”, tha Beleri.