Fillimisht ishte Gjykata e Lartë e Kolorados që vendosi se ish-Presidenti Donald Trump nuk kualifikohej për të rikandiduar për këtë detyrë. Më pas, sekretarja demokrate e shtetit të Meinit vendosi të njëjtën gjë, për shtetin e saj.
Të dyja vendimet janë historike. Gjykata e Kolorados ishte gjykata e parë që mori një vendim ndaj një kandidati për president duke u bazuar tek një kufizim që parashikon kushtetuta, e që është përdorur rrallë kundër atyre që janë “përfshirë në kryengritje”.
Sekretarja e Shtetit të Meinit është zyrtarja e parë e lartë që trajton çështje zgjedhore, që ndërmori një veprim për të hequr një kandidat presidencial nga fleta e votimit, sipas së njëjtës dispozitë.
Zbatimi i të dyja vendimeve është pezulluar në pritje të zhvillimit të proceseve ligjore.
Kjo do të thotë se zoti Trump do të vazhdojë të jetë në fletën e votimit në Kolorado dhe Mein dhe se fati i tij politik tashmë ndodhet në duart e Gjykatës së Lartë. Vendimi i Meinit ka të ngjarë të mos hyjë kurrë në fuqi. Por ndikimi i tij është trysnia në rritje ndaj gjykatës më të lartë të vendit për të thënë qartë: A mundet zoti Trump të kandidojë ende për president pas sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit?
Cila është çështja ligjore në diskutim?
Pas Luftës Civile, vendi ratifikoi Amendamentin e 14-t për të garantuar të drejtat për ish-skllevërit dhe për shumë arsye të tjera. Në të gjithashtu u përfshi një dispozitë, (pika tre e Amendamentit 14), miratuar me synimin për të mbajtur larg detyrave zyrtare, ata që mbështeten konfederatën.
Pika tre e këtij amendamenti ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj./ VOA
Artikulli i plotë këtu.