Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për vitin 2023, qeveria ka marrë një vendim për shtyrjen edhe me dy muaj qëndrimin e shtetasve afganë që u strehuan në Shqipëri, pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.501, DATË 25.8.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
- a) Pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/2. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2/1, të këtij vendimi, personave, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi deri në datën 24.2.2024.”.
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Me një vendim të ngjashëm, u është shtyrë qëndrimi në Shqipëri deri në muajin mars edhe shtetasve ukrainas, të mbetur në Shqipëri, që pas nisjes së luftës me Rusinë. Të dyja vendimet kanë hyrë në fuqi pasi janë publikuar menjëherë në Fletoren Zyrtare