Me 24 shtator, Kosova u gdhi me lajmin se një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.
Policia tha se gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të fshatit Banjskë, ku ishin strehuar sulmuesit.
“Një veturë rëndë e blinduar, vetura xhip 24 copë, motorë 4×4 2 copë, mina kundër këmbësorisë 8 copë, zolla të mbushura 29 copë, predhë minahedhësi 82 milimetërsh 54 copë, predhë minahedhës 62 milimetërsh 88 copë, granatë dore 75 copë, mina antitanke 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë, detonarë elektrikë 23 copë,” tha drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.
Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit. Beogradi mohoi të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.
Por, ambasadori amerikan në Kosova, Jeff Hovenier tha se grupi ishte i organizuar.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju i keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre.
Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës,” tha ambasadori Hovenier./ VOA
Artikulli i plotë këtu.