Udhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës u zotua të vazhdojë ta dobësojë vendin e tij që ende vuan plagët e luftës deri në pikën kur do të copëtohet, pavarësisht nga një zotim i Shteteve të Bashkuara për ta parandaluar një gjë të tillë.
“Unë nuk jam joracional, e di se përgjigja e Amerikës do të jetë përdorimi i forcës … por nuk kam asnjë arsye që të trembem nga kjo për të sakrifikuar interesat kombëtare (serbe)”, tha të premten në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, Milorad Dodik, presidenti i Republikës Serbe.
Ai tha se çdo përpjekje për të shfrytëzuar ndërhyrjen ndërkombëtare për të forcuar më tej institucionet e përbashkëta shumetnike të Bosnjës do të përballet me vendimin e serbëve të Bosnjës për t’i braktisur plotësisht ato dhe për ta kthyer vendin në gjendjen e përçarjes dhe mosfunksionimit, siç ishte në fund të periudhës së luftës brutale ndëretnike të viteve 90.
Për shkak se demokracitë perëndimore nuk do të jenë dakord me këtë, shtoi ai, “në periudhën tjetër, ne do të detyrohemi nga reagimi i tyre të shpallim pavarësinë e plotë” të rajoneve të Bosnjës të kontrolluara nga serbët.