Edi Rama gjatë fjalimi të sotëm ka folur për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Rama u shpreh se nuk ka asgjë për të shtuar pasi po pret që të merret vendimi i prerë i gjykatës dhe pasi ky vendim të merret gjërat do të rishikohen.
“Nga ana tjetër, ka një proces që njihet dhe lidhet me një çështje për të cilin kam folur dhe nuk kam asgjë për të shtuar.
Gjykata ka dhënë një vendim ka konfirmuar atë që kemi thënë që në ditën një, që ne nuk kemi pasur asnjë kompetencë që të mundësojmë betimin si kryebashkiak i njeriut të kapur në flagrancë dhe të akuzuar për blerje votash.
Por, vendimi është i gjykatës i shkallës së parë duhet të presim vendimin e formës së prerë dhe pastaj do të shikojmë se si do të operojmë në kuptimin e atij vendimi” u shpreh kryeministri i vendit.
Gjithashtu Rama foli dhe për drejtimin e Himarës.
“Qeveria ka sipas ligjit, atributin për të vendosur një komisar në krye të një bashkie por në ligj nuk është i përcaktuar ky rast dhe do të na duhet të lexojmë vendimin e formës së prerë dhe më pas të veprojmë mbi bazën e këtij koncepti ose se si do të na orientojë vendimi i formës së prerë” tha ai.