Nga 1 janari, shqiptarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.
Ky proces solli edhe shqetësime për ndikimin që mund ta ketë liberalizimi i vizave te emigrimi i të rinjve.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi.
Banka Botërore thotë se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga emigrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën.
Nëpër të njëjtën fazë kaluan edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fituan të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër Schengen në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina një vit më vonë.
Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk kishte efekt të dukshëm në numrin e rasteve të identifikuara për punësim të paligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi.
Edhe pse numri i rasteve të identifikuara të punësimit të paligjshëm nuk u rrit në mënyrë konstante, disa vende të BE-së shprehën ankesa për një gjë të tillë, veçanërisht ndaj Shqipërisë dhe Serbisë./ REL
Artikulli i plotë këtu.