Luftimet intensive vijojnë në Rripin e Gazës, edhe pse Izraeli njoftoi planet për të tërhequr disa prej trupave. Banorët thonë se avionë lufte dhe tanke izraelite kanë shtuar bombardimet dhe zjarrin e artilerisë në qytetin jugor të Khan Younis.
Sipas autoriteteve në Rripin e Gazës më shumë se 200 palestinezë ishin vrarë në territor gjatë 24 orëve të fundit.
Sakaq, ushtria e Tel Avivit foli për eliminimin e dhjetëra militantëve palestinezë në Jabalian veriore dhe shënjestrimin e të tjerëve në qytetin e Gazës dhe zonat bregdetare.
Po ashtu në bregun perëndimor, IDF raportoi vrasjen e 4 militantëve palestinezë në një operacion anti-terrorist.
Sulmet e reja vijnë një ditë pasi ushtria e Izraelit njoftoi planet për të tërhequr disa rezervistë nga Gaza në përgatitje të luftimeve të gjata që siç tha do të vijonin përgjatë gjithë vitit.