Forcat e armatosura suedeze kanë shpërndarë ushqim dhe ujë për drejtuesit dhe pasagjerët e 1000 makinave dhe kamionëve të bllokuar për më shumë se 24 orë prej reshjeve të dendura të dëborës në rrugën kryesore të vendit E22, shkruan BBC.
Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë mbrëmjes së djeshme dhe në të gdhirë për të evakuuar njerëzit që u bllokuan në autostradë, pranë zonës Skane të Suedisë jugore.
Ndërprerja e qarkullimit në E22 filloi rreth orës 09:00 me orën lokale të mërkurën kur bora e bëri autostradën të pakalueshme në të dy drejtimet midis Horby dhe Kristianstad.
“Është kaos total. Problemi është se bie borë aq e madhe sa rruga është e mbuluar me borë vetëm gjysmë ore pas pastrimit“, tha zëdhënësja e policisë Evelina Olsson.
Erika Sepeliovaite tha për mediat se ajo së bashku me dy fëmijët dhe qenin e saj u liruan pas 19 orësh. Malin Johansson, nga Ahus, tha po ashtu se ajo dhe partneri i saj u liruan kur ekipet e shpëtimit prenë barrierën qendrore të rrugës, duke i lejuar ata të largoheshin në orën 04:30 të së enjtes.
Të enjten në mëngjes policia suedeze tha se kushtet e motit kishin nisur të përmirësohen, por shtoi se rruga nuk do të pastrohet deri në orën 08:00 të së premtes.
Sakaq, edhe autobusët e trenat u anuluan në rajonin Skane, ndërsa autoritetet u kërkuan njerëzve të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Kaosi me bllokimin e kësaj autostrade ndodhi në një kohë kur temperaturat në Suedi kanë rënë ndjeshëm. Stacioni i motit Kvikkjokk-Arrenjarka në veri të vendit regjistroi natën e tij më të ftohtë në 25 vjet të martën mbrëma, me termometrin që shënoi -43.6 gradë Celcius.