Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri një analizë të vitit që u mbyll dhe të riut që sapo ka nisur. 2023-shin e ka dominuar forcimi i lekut dhe për këtë ministri ka të njëjtin shpjegim si kryeministri Rama. “Forcimi i Lekut është reflektim i forcimit të ekonomisë. Për 9 muaj kemi 3.2 miliardë Euro flukse nga turizmi, kjo ndikon në formimin e monedhës vendase. Ashtu sikur ka edhe një sërë fluksesh të tjera që shprehen në forcim të monedhës vendase”.
Për krizën ku ndodhen ekspertuesit dhe jo vetëm për këtë situatë, ministri kishte një këshillë për të rinjtë. “Për eksportuesit nuk është vetëm kjo arsyeja. Ne jemi ekonomi e hapur dhe e ndjeshme. Ka një sërë ndikimesh që kanë dhënë efekt në ata sektorë. Kur kemi evolim ekonomik në momentet e para apo vazhduese do të duhet të ketë ndjeshmëri dhe ne e kemi.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur një program për subvencionimin e rritjes së pagës minimale që kanë përfituar mbi 100 mijë punonjës. Sa më shumë i afrohemi BE-së dhe hapemi, aq më shumë këto forca do të jenë prezentë. Nëse do të vijë momenti që të kalojnë të rinjtë nga call center-a në turizëm, kjo është në këtë moment ekonomik ku ndodhemi ne, e shëndetshme edhe për sektorët edhe për ekonominë”.
Në tremujorin e parë të këtij viti shqiptarët do të duhet të paguajnë një tjetër taksë. “Sigurimi i detyrueshëm i banesave, ligji është në diskutim. Kemi një analizë të BB-së, që i përket “Primit” është në diskutim nëse do të jetë i unifikuar, apo i ndarë në dy apo katër zona të vendit. Brenda tre mujorit të parë të vitit do të kemi një draft që do të ndajmë për diskutim publik”.
Ministri foli edhe për një rritje të mbrojtjes sociale, veç reformës së pensioneve. “Shtyllat e mbrojtjes sociale përfshijnë pensionet, ndihmën ekonomike dhe asistencën sociale. Të gjitha janë në diskutim, pjesa e kapitalit njerëzor ka nevojë të adresohet në një optikë të re. Minimumi jetik është një koncept i mundësive, diskutimi që ne po bëjmë lidhet me vlerësimin e të gjithë komponentëve për të parë lidhjen e tyre. Të shohim sa efektive është ndihma ekonomike dhe programet që kemi dhe vendosjen në tregun e punës” tha ai.