Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hequr vizat për qytetarët e Kosovës dhe tani mund të udhëtohet në shtetin arab vetëm me pasaportë, ka njoftuar presidentja Vjosa Osmani të enjten.
Sipas Osmanit, marrëveshja për heqjen e vizave mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara ishte arritur gjatë takimit të muajit të kaluar me presidentin Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe tashmë është nënshkruar.
“Falënderoj presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.
Emiratet e Bashkuara bëhen shteti i 49-të në të cilin qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza, sipas “Passportindex”. Kosovës iu liberalizuan vizat nga 1 janari i këtij viti.