Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim dosjen kundër Gazmend Canajt, të akuzuar për blerje votash.
SPAK thotë se nga analiza një e nga një dhe në unitet të provave të administruara gjatë hetimit (përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale) provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në qarkun e Tiranës, të datës 25 prill 2021.
Rezulton e provuar se i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar dhe dhënë ushqime qytetarëve G. K. dhe E. G. si dhe ju ka ofruar përfitime të paligjshme S. K., R. C. dhe F. R., kundrejt votës së tyre dhe të afërmve të tyre, në favor subjektit politik që Gazmendi mbështeste.