Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë se sektori i turizmit ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye sipas tij duhet një qasje fiskale e re me qëllim taksimin e qiradhënësve.
“Turizmi na një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe kjo kërkon edhe një vëmendje nga ana e qasjes fiskale që ky sektor të japë kontributin e vet edhe në ekonomi dhe buxhetin e shtetit. Në ligjin që propozohet sot nga qeveria në parlament është parashikuar një dispozitë, ku këshilli i Ministrave do të ketë një qasje ndërvepruese me sektorin, me një strategji referuese për kapacitetet e shfrytëzimit.
Ministria e Financave në vijim do të publikojë edhe disa sqarime lidhur me përgjegjësitë e qiradhënësve në këtë sektor që të jenë më transparent në përgjegjësitë e tyre tatimore dhe të kem një qasje sa më bashkëpunuese me tatimpaguesit që t’i përgjigjen këtyre përgjegjësive fiskale për një tatim sa më të drejtë në buxhetin e shtetit”, tha Mete.